Anëtarët aktual të Bordit

Z. Ymer Havolli - Kryesues i Bordit
Z. Havolli është i doktoruar në shkencat ekonomike me disertacion të doktoratës:  “Menaxhimi i burimeve njerëzore në Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme të Kosovës (NVM)” në vitin 2001. Është njëri nga themeluesit e Institutit Riinvest, dhe që nga viti 1995 ka dhënë kontribut të konsiderueshëm në hulumtime e projekte në këtë Institut, në të cilin për një kohë të gjatë ka qenë edhe anëtar i Bordit. Në vitin 2003 ishte zgjedhur si profesor-asistent në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës në lëndët: Menaxhimi i Burimeve Njerëzore dhe Etika në Biznes. Në vitin 2007 duke i falënderuar punimeve shkencore në revista ndërkombëtare, si dhe angazhimit në projekte të ndryshme, po ashtu të karakterit ndërkombëtar, nga Universiteti i Prishtinës promovohet në gradën shkencore “Profesor i Asociuar”. Kualifikimet kyçe: Menaxhment i Burimeve Njerëzore, Edukim Biznesi dhe Zhvillimi i NVM-ve.

Ka mbikëqyrur një numër të studentëve në studimet Master dhe në studimet e doktoraturës. Është pjesëmarrës në hulumtime dhe ka menaxhuar një numër të projekteve me rëndësi ndërkombëtare për Kosovën. Ka vijuar specializime nga fusha e Menaxhmentit të BNJ në Britani të Madhe për çdo vit, që nga 2004-a. Njëherësh është bashkërendues i projektit Tempus. Ka të botuar punime autoriale ose si bashkautor në revista ndërkombëtare. Ka botuar librin për shkolla të mesme të ekonomisë “Afarizmi Komercial” në vitin 2000 dhe librin për studentë të ekonomisë “Menaxhmenti i Resurseve Njerëzore”, në 2001, i ribotuar në vitin 2004. Aktualisht është në marrëdhënie të rregullt pune në Universitetin AAB-Riinvest në Prishtinë, në pozitën e Dekanit të Fakultetit Ekonomik dhe gjithashtu është i angazhuar me kohë të caktuar në Institutin Riinvest.

 
Anëtarët profesionalë

Z. Harvey Kember
Z. Kember është duke punuar me grupin këshillues për Benefitet e Punonjësve në kuadër të kompanisë konsulente dhe kontraktuese Xafinity. Ai është profesionist aktuar i cili ka punuar si këshilltar profesionist për fondet pensionale të korporatave në strategjinë e tyre të investimeve gjatë 20 viteve të fundit, përderisa para kësaj ka qenë duke punuar në çështjet që kanë të bëjnë me aktuaret, benefitet dhe administrimin. Ai udhëheq funksionin e konsulencës për investime në Xafinity, duke ofruar shërbime për Administruesit e besueshëm të klientëve të fondeve pensionale të korporatave, dhe bën marketingun e këtyre shërbimeve për klientët potencial. Ekspertiza e tij shtrihet në zhvillimin e strategjisë së mjeteve, strukturat dhe mandatet e investimeve, përzgjedhjen dhe monitorimin e menaxhuesve të investimeve, dhe sigurimin e përmbushjes së kërkesave ligjore. Z. Kember ka themeluar dhe zhvilluar një numër të njësiteve të besueshme dhe fondeve të menaaxhuara për tregun e pensioneve të financuara. Z. Kember ka ligjëruar në kursin pranë Institutit të aktuarieve për Ministrinë e sigurimit social në Egjipt.

Z. Steven Bates
Z Bates është drejtor i një numri të madh të kompanive që merren me menaxhimin e mjeteve dhe shërben si këshilltar pranë njërit prej fondeve më të mëdha në Mbretërinë e bashkuar. Deri në qershor të vitit 2002, ai ishte drejtor menaxhues i JP Morgan Fleming Asset Management, një institucion i madh financiar. Ai filloi karrierën e tij si analist i investimeve më 1980. Z. Bates është profesionist për investime me një përvojë të gjerë dhe sukses të konsiderueshëm si në tregjet e zhvilluara të akcioneve ashtu edhe në ato në zhvillim. Z. Bates ka një përvojë të rëndësishme si investitor sikur në tregjet në zhvillim ashtu edhe në tregjet e zhvilluara, por edhe ka themeluar disa biznese të suksesshme, e sidomos në Evropën qendrore dhe lindore. Ai ka qenë përgjegjës për të gjitha aspektet menaxhuese të investimeve të JP Morgan Flemings-it në tregjet në zhvillim, por edhe për menaxhimin e ekipeve investuese në Londër, Brazil, Rusi, Afrikë Juore, Egjipt dhe në Republikën Çeke. Ai ka zhvilluar dhe implementuar strategji dhe proces të suksesshëm të investimeve në shumë tregje të ndryshme.

Vërejtje: Një pozitë është vakante

 
Anëtarët përfaqësues

Z. Ruzhdi Morina
Z. Ruzhdi Morina, i lindur më 13 nëntor 1979, është këshilltar i lartë ligjor në BSPK. Ka magjistruar në shkencat juridike, drejtimi ndërkombëtar, ndërsa ka diplomuar në shkencat politike në Universitetin e Prishtinës. Po ashtu ka ndjekur një serë trajnimesh në çështjet ndërkombëtare, marrëdhënies së punës, pensioneve dhe financave.  Z. Morina është profesionist për këshilla ligjore dhe nga nëntori i viti 2003 deri në dhjetor të vitit 2004 ka qenë avokat praktikant në Odën e Avokatëve të Kosovës. Nga prilli i vitit 2004 deri në maj të vitit 2005 ka punuar në zyrën ligjore të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Nga muaji nëntor i vitit 2005 është angazhuar në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura te Kosovës si këshilltar i lartë ligjor, pozitë të cilën e mbanë edhe sot. Gjatë punës në BSPK detyrë kryesore e ka këshillimin e udhëheqjes së BSPK-së dhe punonjëseve në çështjet ligjore nga marrëdhënia e punës, pensioneve dhe sistemit pensionale, si dhe dialogut social. Z. Morina po ashtu punon edhe në Hekurudhat e Kosovës si Këshilltar i Përgjithshëm/Sekretar i Kompanisë.

 
Përfaqësuesi i punëdhënësve

Z. Ejup Qerimi
Z. Qerimi është inxhinier i diplomuar i elektroteknikës; auditor udhëheqës për sistemet e menaxhimit të cilësisë sipas Standardit ISO 9001 dhe menaxher profesional i projekteve (PMP).

Z. Qerimi ka përvojë të gjatë të punës në ekonominë e Kosovës në pozita të ndryshme menaxheriale, në ndërmarrje biznesi dhe institucione që kanë përfaqësuar komunitetin e biznesit në Kosovë. Ai ka shërbyer si anëtar i Bordit të Pavarur për Rishqyrtim të Tatimeve të Kosovës pranë Ministrisë së Financave; në Odën Ekonomike të Kosovës, në pozitën e Sekretarit Gjeneral; në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, si Kryetar i Këshillit për Arsim dhe Aftësim Profesional të Kosovës.

Z. Qerimi ka punuar edhe në ”IPKO Telecommunications”, si udhëheqës i zyrës për menaxhimin e projekteve dhe anëtar i menaxhmentit, ku ka implementuar projekte të teknologjisë së informacionit dhe komunikimeve.

Aktualisht punon në projekte të ndryshme të financuara nga Bashkësia Europiane si ekspert i pavarur. Në nivel ndërkombëtar është i angazhuar si përfaqësues profesional i komunitetit të biznesit; anëtar i grupit punues për analiza të nevojave për trajnime të bizneseve në Qendrën e Evropës Juglindore për mësim të ndërmarrësisë në Kroaci; anëtar i PMI (Project Management Institute), SHBA dhe EOQ (European Organization for Quality) në Belgjikë.
 

Përfaqësuesi i PCN-së

Z. Frederick Artesani
Z. Artesani është economist me 27 vjet përvojë pune. Ai jeton në Spanjë dhe aktualisht është Kryesues për Investime në Fondin Pensional të Punonjësve të CEPSA, kompani kjo spanjolle e naftës. Përvoja e tij profesionale ngërthen lëmitë e këshillave për investime, shitblerje të aksioneve dhe bankë investuese. Z. Artesani po ashtu ka një firmë konsulente për investime të krijuar më 1996, Antorcha Financiera, e cila ofron alokim mjetesh, hulumtime investimesh dhe përzgjedhje produktesh për fondet pensionale, fondet investuese, kompanitë e sigurimeve dhe zyrat për familje. Me parë ai ka punuar në Spanjë si Menaxher i Përgjithshëm i Sektorit për Aksione të brokerit francez ODDO & cie, pastaj për brokerin spanjoll BANESTO Lombardía & Lacaci dhe për brokerin spanjoll BENITO & MONJARDIN, ku po ashtu ka qenë anëtar Bordi. Para këtyre ka punuar në Londër në lëminë e bankave investuese dhe financave të korporatave për bankat amerikane Manufacturers Hanover dhe The First National Bank e Çikagos. Fusha e aktiviteteve të tij dhe përvoja e tij janë në strategjinë e investimeve, alokimin e mjeteve, dhe përzgjedhjen e mjeteve, dhe ngërthen spektrin e gjërë të mjeteve financiare përfshirë fondet, aksionet, bonot dhe strukturat.

 
Përfaqësuesi i Qeverisë

Z. Behxhet Haliti
Z. Haliti përfaqëson Qeverinë e Republikës së Kosovës në Bordin e Trusti-t, pa të drejtë vote. Krahas të arriturave të tjera z. Haliti aktualisht ushtron detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës.

 
© 2012 Trusti. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.Design & Development by Trusti