Për FKPK-në

Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) është institucion publik i pavarur i themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. FKPK është krijuar sipas modelit të kontributeve pensionale të definuara, që nënkupton se secili kontribuues kursen për pension në një llogari personale.

FKPK është institucion i themeluar në dhjetor të vitit 2001 dhe ka filluar aktivitetin në gusht të vitit 2002 për të administruar dhe menaxhuar kontributet e obligueshme pensionale (dhe vullnetare) të të punësuarve në Kosovë. Aktivitetin e përgjithshëm të FKPK-së e rregullon Kuvendi i Kosovës, ndërsa e mbikëqyrë Banka Qendrore e Kosovës (BQK).

FKPK është e angazhuar kryekëput për mbajtjen e kontributeve pensionale të kursyera nga qytetarët e Kosovës gjatë marrëdhënies së punës, të cilat ruhen nëpër llogari individuale të kontribuuesve. Administrimi i këtyre llogarive individuale është përgjegjësi ligjore, megjithatë paratë e kursyera mbesin pronë vetanake e kontribuuesve. Edhe pse pronë private, mandati i këtyre kursimeve është specifik: ato mund të përdoren vetëm për pension.

Sa janë me ne, mjetet investohen sipas parimeve të investimeve të kujdesshme të paracaktuara me ligj. Investimet bëhen në mënyrë që kursimtarët kosovarë, në afate të gjata, të kenë rritje të vlerës së kursimeve pensionale, ashtu që mjetet e tyre të mos zhvlerësohen. Investimet e FKPK-së janë të bëra në fonde investuese, dhe përmes tyre në tregje botërore dhe industri nga më të ndryshmet, në mënyrë që të shpërndahet dhe kështu të zvogëlohet rreziku i mundshëm nga investimet.

Ligji nr. 04/L-101 për Fondet Pensionale në Kosovë ia jep FKPK-së kompetencat dhe të drejtat e administruesit të besuar për fondet pensionale (Neni 5.1), dhe i përcakton atij të drejtat lidhur me fondet pensionale duke përfshirë, por duke mos u kufizuar vetëm në (Neni 5.2):

  •  udhëheqjen e tenderit për përzgjedhjen e menaxhuesit(ëve) të mjeteve dhe mbajtësit të mjeteve ose instrumenteve për investime të hapura në pajtim me këtë Ligj;
  • zbatimin e marrëveshjeve me menaxhuesin(it) e mjeteve, mbajtësit, instrumentet për investime të hapura, llogaritarët, revizorët, avokatët dhe kryerësit tjerë të shërbimeve të Fondit;
  • kërkimin dhe pranimin e informacionit nga drejtorët e mjeteve, instrumentet për investime të hapura, mbajtësit e mjeteve dhe kryerësit e tjerë të shërbimeve për të gjitha transaksionet në emër të Fondit, duke përfshirë edhe votimin e aksioneve që i mban Fondi;
  • miratimin e parimeve të investimeve për Fondin;
  • shkarkimin dhe zëvendësimin e drejtorit të mjeteve, instrumenteve për investime të hapura, mbajtësve të mjeteve dhe kryerësve të tjerë të shërbimeve të Fondit;
  • pagimin e fitimeve të llogarive individuale për pensionet e kursyera siguruesve të anuiteteve me qëllim të blerjes së pensioneve për pjesëmarrësit dhe përfituesit në përputhje me këtë ligj;
  • lidhjen e marrëveshjeve për blerjen, shitjen, dhënien ose marrjen me qira të patundshmërive apo pajisjeve të nevojshme për funksionimin e Fondit;
  • punësimin e personelit ekzekutiv dhe joekzekutiv të Fondit;
  • lidhjen e marrëveshjeve të sigurimeve, duke përfshirë edhe sigurimin fiduciar për kompensim për bordin drejtues, me kompanitë e sigurimeve të licencuara në Kosovë ose në shtetet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik;
  • përgatitjen e buxhetit të cilin e miraton Bordi Drejtues;
  • caktimin e tarifave të arsyeshme të bazuara në shpenzime të çdo pjesëmarrësi për administrimin e Logarive Individuale miratuar nga Kuvendi ne baza vjetore Taksat e tilla nuk duhet të tejkalojnë 0.30% në vit, pro-vlerësuar gjatë vitit në varësi të frekuencës në llogaritjene çmimit të njësisë, dhe do të zbatohet vetëm për mjetet pensionale të investuara; dhe
  • rimbursimit të të gjitha shpenzimeve të tjera aktuale në lidhje me investimin e mjeteve pensionale, duke përfshirë por pa u kufizuar në: ngarkimet e transferimit, tarifat e menaxhimit të mjeteve dhe tarifat e performancës nga fondet e Pjesëmarrësit.

FKPK e ka zyrën e saj kryesore dhe të vetme në Prishtinë, kurse shërbime për kontribuuesit dhe përfituesit e kursimeve për pension kryhen edhe në gjashtë qendrat e tjera të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) në: Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj dhe Gjilan.

FKPK udhëhiqet nga Bordi Drejtues, i cili përbëhet nga: pesë anëtarë profesionalë me përvojë së paku 10 vjeçare në lëmin e pensioneve; dy anëtarë përfaqësues, njëri i punëdhënësve dhe tjetri i të punësuarve; një përfaqësues i Qeverisë së Kosovës. Të gjithë anëtarët e Bordit emërohen nga Kuvendi i Kosovës me mandat 3-vjeçar, me mundësi të rizgjedhjes. Nëse mandati i anëtarëve të Bordit skadon dhe asnjë anëtar i ri nuk është emëruar, atëherë anëtarët e Bordit ekzistues do të vazhdojnë mandatin për nëntëdhjetë ditë.

 
 
 
© 2014 Trusti. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.Design & Development by Trusti