|
Sipas Ligjit nr. 03/L-084 për ndryshimin e Rregullores së UNMIK-ut 2005/20, Bordi Udhëheqës i Trustit përbëhet nga:
- Katër anëtarë profesionalë me përvojë minimum 10 vjeçare në menaxhimin e mjeteve ose administrimin e pensioneve (në më shumë detaje në nën-nenin 5.4 të rregullores);
- Dy anëtarë përfaqësues, njëri që i përfaqëson interesat e punëdhënësve dhe tjetri ato të punëtorëve;
- Një përfaqësues të qeverisë së Kosovës; dhe
- Një përfaqësues ndërkombëtar i Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar
Struktura e Bordit Udhëheqës dhe aftësitë që kërkohen prej tyre, janë përcaktuar me qëllim të sigurimit të një gërshetimi të përshtatshëm të përvojës dhe aftësive. Pritet nga anëtarët e Bordit të mbikëqyrin funksionet e administrimit të Trustit dhe të japin udhërrëfime në aspekte të posaçme të ekspertizës. Bordi ka përgjegjësi ekskluzive për investimet e Trustit, si dhe është përgjegjës për vendimmarrjen mbi politikën e Trustit, pas këshillimeve paraprake me Drejtorin Menaxhues dhe stafin e Trustit.
Anëtarët profesionalë Nga anëtarët profesionalë pritet që ta udhëzojnë Trustin në çështjet që kanë të bëjnë me investimet e mjeteve për pensione dhe çështjet administrative të grumbullimit të kontributeve pensionale.
Anëtarët përfaqësues Nga anëtarët përfaqësues pritet të kenë përvojë të konsiderueshme të punës në përfaqësimin e interesave të punëdhënësve dhe punëtorëve kosovarë. Përgjegjësia e tyre primare është të përfaqësojnë interesat e bazës së tyre. Komunikimi aktiv me publikun dhe ngritja e vetëdijes mbi politikat dhe procedurat e Trustit, është po ashtu funksion i këtyre anëtarëve.
Përfaqësuesi i Qeverisë Funksioni kryesor i përfaqësuesit të Qeverisë është që të sigurojë mbikëqyrje adekuate dhe ta përfaqësojë Qeverinë e Kosovës në Bordin e Trustit. Ky anëtar emërohet nga Kryeministri.
Përfaqësuesi i PCN-së Emërohet nga Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar dhe e përfaqëson atë në Bord. Ky anëtar do të jetë në Bord deri në skadimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare ndaj Kosovës.
|