Plus 3 milionë euro nga investimet në TM2

15.07.2011 - Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trusti) e mbylli tremujorin e dytë të këtij viti me 3 milionë euro kthim bruto nga investimet e bëra. Arsyet kryesore që Trusti e pati këtë kthim pozitiv në tremujorin e dytë janë për shkak të diversifikimit të investimeve dhe performancës së përgjithshme të tregjeve globale. Me rritjen e vlerës së mjeteve nën menaxhim, Trusti investoi më shumë në instrumente si bono dhe letra me vlerë, që kishin edhe performancë më të mirë në këtë tremujor se sa tregu i aksioneve. Si rezultat, çmimi i aksionit të Trusti-t arriti në 1.059 euro, nga 1.054 euro që ishte në fund të tremujorit të parë.

Ky kthim nga investimet në tremujorin e dytë, së bashku me atë të tremujorit të parë – që ishte rreth 11.5 milionë euro - bëjnë që kthimi nga investimet e Trusti-t për gjysmën e parë të 2011-s të arrijë në rreth 14.5 milionë euro, ose 2.63 për qind. Kurse vlera e mjeteve të cilat Trusti i menaxhoi në fund të tremujorit të dytë 2011 ishte 546 milionë euro, e rritur nga 519 milionë euro që ishte në fund të tremujorit të parë.

Tregjet financiare globale në fillim të këtij tremujori njohën një rritje të fortë, e cila erdhi për shkak të rritjes së optimizmit të investitorëve dhe konsumatorëve. Optimizmi i tyre bazohej në raportet e të ardhurave të kompanive globale, që tregonin tejkalim të caqeve të parashikuara nga ekspertët. Por, më pas, rishfaqja e krizës së borxheve të Greqisë tronditi bursat kryesore botërore duke i dërguar ato në rënie të shpejtë. Vetëm falë ridizajnimit të borxhit të Greqisë dhe vendimit të BE-së dhe FMN-së për dhënien e borxhit shtesë, bëri që në ditët e fundit të tremujorit tregjet të kompensojnë një pjesë të madhe të rënies së pësuar gjatë muajit qershor.

BE-ja dhe tregjet globale ishin edhe nën presion të krizave të tjera të borxheve, veçanërisht në Portugali dhe Irlandë, por me mundësi potenciale edhe në Itali dhe Spanjë. Për shkak të këtyre sfidave në këtë gjysmë viti, parashikimet që jepen për rezultatet e pritshme në gjashtëmujorin e dytë janë të ndryshme. Por në çdo rast, vendimet që do të merren për kapërcimin e problemeve me borxhet e vendeve të BE-së dhe SHBA-ve, dhe menaxhimin e efekteve që la pas katastrofa në Japoni në tregjet industriale dhe financiare, do të vendosin për performancën e tregjeve globale financiare, e me këtë në masë të madhe edhe performancën e investimeve të Trusti-t.

 
© 2012 Trusti. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.Design & Development by Trusti