|
Ky dokument vendos udhërrëfyesit e përpiluar nga Bordi Udhëheqës i TKPK-së. Këta udhërrëfyes do të shqyrtohen formalisht në secilën mbledhje të Bordit.
1. Bordi është i vetëdijshëm që duhet të vendoset balansimi mes interesave të kontribuesve që i janë afruar moshës së pensionimit dhe atyre të kontribuesve të cilët kanë para vetes shumë vite për të kursyer para se të kanë nevojë për pension. Në afat të mesëm, dhe varësisht nga zhvillimi i sistemit të ri të TI-së, kjo çështje do të adresohet përmes ofrimit të portfoliove të ndryshme për kontribuesit. Këto do të disejnohen për ta përdorur periudhën më të përshtatshme kohore dhe profilin më të përshtatshëm të rrezikut për secilën grup moshë të veçantë. Ndërkohë, nevoja për balansim kërkon një politikë e cila përmban një përqindje të arsyeshme, por jo të tepruar, të investimeve afatgjatë me kthim të lartë por edhe luhatje të lartë, siç janë aksionet, e kombinuar me një pjesë më të madhe të mjeteve të investuara në instrumente që kanë qartësi më të madhe të kthimit, me luhatje më të ulët. Përderisa profili demografik i kontribuesve sugjeron të tolerohet një rrezik më i lartë, numri në rritje i të pensionuarëve kërkon një qasje më të butë deri në kohën kur sistemi mund t’iu ofrojë zgjedhje kontribuesve.
2. Edhe pse Bordi beson se, në afat të gjatë, aksionet kanë gjasë të gjenerojnë kthime më të larta se sa bonot, paratë e gatshme apo instrumentet me kthim absolut, është njëkohësisht i vetëdijshëm se rreziku i qenësishëm në ndjekjen e një politike me anim të tepërt kah aksionet është, tash për tash, në lartësi të papranueshme.
3. Bordi ka vendosur procesin për identifikimin dhe emërimin e menaxhuesve të përshtatshëm të mjeteve për t’i menaxhuar mjetet e Trustit. TKPK do të investojë në instrumente të përbashkuara, siç janë fondet e përbashkëta, të cilët ofrojnë diversifikim të shkëlqyeshëm me kosto relativisht të ulët. Bordi do ta përfshijë përdorimin e ‘Fondeve të indeksuara’ për t’i përmbushur nevojat e veta investuese në aksione, por është i vetëdijshëm se për balansimin e mjeteve përdorimi i indeksit mund të jetë i papërshtatshëm. Prandaj Bordi përdorë dijen e vet kolektive për t’i identifikuar menaxhuesit e përshtatshëm, të cilët pastaj hetohen dhe intervistohen para emërimit. Bordi mund të përdorë këshilla të jashtme për ta ndihmuar në këtë proces. Është shumë e rëndësishme që menaxhuesit e përzgjedhur të mjeteve të kenë integritet të lartë dhe siguri financiare.
4. Bordi do të investojë siç kërkohet nga ligjet relevante. Bordi beson se instrumentet e përbashkuara të organizuara nën jurisdiksionin relevant vendor të OECD-së bie në këtë kategori.
5. Bordi është përgjegjës për vendosjen e synimeve për alokimin e mjeteve të Trustit, dhe i kushton kohë kësaj detyre gjatë dhe mes mbledhjeve të Bordit. Tash për tash, Bordi ka vendosur për një politikë që synon përzierjen e mjeteve të ndara mes tri klasave të investimeve: aksione; produkte me kthim absolut; dhe tjera, kategori kjo e cila përfshinë bonot dhe paratë e gatshme. Synimet janë dhënë në gamë, ashtu që prurjet e parave në Trust të mund të plasohen me vend. Kjo gamë synimesh do të shqyrtohet rregullisht dhe shërben si udhërrëfyes për përzierjen e synimeve të mjeteve përgjatë kohës.
6. Edhe pse llogaritë dhe shportat e kontribuesve individual janë të denominuara në euro, Bordi beson se është e përshtatshme të investohet si brenda ashtu edhe jashtë eurozonës, nëse kthimet në dispozicion e arsyetojnë rrezikun. Në këto rrethana Bordi do të konsiderojë nëse investimet jashtë eurozonës duhet të kërkohen vetëm përmes produkteve të përbashkuara të cilat automatikisht janë të mbrojtura nga ndryshimet në këmbimin valutor, ose të merr përsipër rreziqet që vijnë nga dallimet në vlerat e këmbimit të valutave.
7. Bordi shqyrton rregullisht përshtatshmërinë e mundësive për investime brenda Kosovës. Për t’iu përmbajtur kritereve për investime, çfarëdo investimi i tillë duhet të bëhet në pajtueshmëri me udhërrëfyesit për investime në fuqi, si dhe me ligjet relevante.
Këta udhërrëfyes duhet të lexohen njëkohësisht me Deklaratën e Parimeve të Investimeve Deklarata e Parimeve të Investimeve, dhe Ligjin Nr. 03/L-084 për pensionet në Kosovë.
Prishtinë, Kosovë
25 janar 2010
|