|
15.10.2011 - Bordi Udhëheqës i Trustit të Kursimeve Pensionale, pas shqetësimeve nga rënia e tregjeve financiare botërore në të cilat janë investuar mjetet e kontribuuesve të Trusti-t, dhe pas raportimeve të ndryshme në medien vendëse që kanë rritur me të drejtë shqetësimet e kontribuuesve, del me këtë deklaratë për publik.
Bordi dëshiron t’i rikujtojë opinionit se strategjitë investuese të kursimeve pensionale kanë objektiva afatgjata – 20 deri 25 vjeçare – dhe lëvizjet mujore ose tremujore nuk duhet të ndikojnë radikalisht politikën investuese. Kjo gjithmonë duke pasur parasysh se mosha mesatare e kontribuuesve të Trusti-t është nën 40 vjet.
Argument për këtë është fakti se Trusti që nga krijimi ka njohur kthim pozitiv në 8 vjet dhe kthim negativ vetëm në 1 vit.
Më tej, qysh prej krijimit të Bordit aktual, në prill të vitit 2009, vetëm dy nga 10 tremujorët kanë performancë negative në investime, kurse tetë tremujorët e tjerë kishin performancë pozitive. Kjo, e përsërisim, falë politikës investuese që ky Bord ka ndjekur që nga emërimi prej Kuvendit të Kosovës.
Bordi njofton kontribuuesit se kursimet e tyre pensionale janë të investuara në vendet më të zhvilluara të botës dhe portofoli investues është i shpërndarë për t’i mbrojtur sa më shumë kursimet e tyre pensionale nga rëniet në tregjet financiare. Megjithëse kriza ekonomike e këtij viti ka tronditur rëndë deri edhe ekonomitë më të përparuara të globit, kursimet pensionale vazhdojnë të mos jenë të rrezikuara dhe rëniet eventuale mund të rikthehen shumë shpejt nga ngritja e tregjeve. Njëkohësisht gjendja aktuale e tregjeve paraqet edhe një shans të volitshëm që të blihen aksione të kompanive më të forta botërore me çmime gati historikisht të ulëta, që në periudha afatgjata do të ishin mjaft të leverdishme për kontribuuesit.
Gjithashtu, duke vazhduar politikën disa vjeçare që Trusti të ngarkojë sa më pak kontribuuesit, Bordi i ka propozuar Kuvendit të Kosovës uljen e mëtejme të taksës menaxhuese. Nëse Kuvendi e miraton këtë propozim, duke filluar nga 1 janari 2011 kontribuuesit e Trusti-t do të paguajnë vetëm 0.60% të kontributeve për operimin dhe menaxhimin e mjeteve të tyre. Kështu Trusti do të vazhdojë të jetë ndjeshëm institucioni me taksën menaxhuese më të ulët në rajon e më gjerë; gjithmonë duke e krahasuar me institucionet e ngjashme pensionale të vendeve si: Bullgari, Kroaci dhe Maqedoni.
Performanca e investimeve
Sa i përket performancës tremujore dhe vjetore të investimeve të Trusti-t, ju lutem t’i referoheni tabelës 1.
Bordi vlerëson se megjithëse deri në fund të muajit shtator investimet pësuan rënie, gjatë gjysmës së tetorit tregjet kanë njohur rritje të fortë. Kjo ka bërë që prej fillimit të vitit 2011 e deri më 15 tetor, Trusti të ketë kthim nga investimet prej vetëm -5.3 milionë euro dhe çmimi i aksionit të jetë rreth 1.02 euro, nga rreth 1.03 euro që ishte në fillim të vitit.
Kurse, megjithëse përformanca e investimeve në këtë periudhë nuk ishte e kënaqshme, mjetet që Trusti i ka nën menaxhim për këtë periudhë nëntëmujore vazhduan të rriten. Mjetet në menaxhim u rritën për rreth 62 milionë euro për vitin 2011. Nga rreth 495 milionë euro që ishin në fillim të janarit të këtij, kjo vlerë arriti në rreth 557 milionë euro në mes të këtij muaji.
Tashmë është e ditur se rënia e vlerës në tregjet financiare globale, erdhi kryekëput nga kriza e borxheve në Bashkimin Europian (BE), e veçanërisht Greqisë. Kurse rreziqet për krizë të ngjashme edhe në Portugali, Itali e Spanjë vazhdojnë të jenë potenciale dhe t’i mbajnë nën tension tregjet financiare dhe bankat komerciale.
Frika e investitorëve se Greqia nuk do të mund të shlyejë borxhet, por edhe pamundësia e institucioneve ndërkombëtare që ta ndihmojnë me borxhe shtesë, bëri që tregjet të kenë tremujorin më të keq qysh prej krizës së vitit 2008.
Megjithatë, portofoli investues i Trusti-t arriti ta amortizojë rënien e tregjeve fal shpërndarjes në disa instrumente financiare, që njihet si diverisifikim i portofolit investues. Si shembull mund të marrim indeksin e bursës DAX të Gjermanisë, që në këtë nëntëmujor ka rënë më shumë se -20%, kundrejt -3.2% të portofolit investues të Trusti-t.
Sa i përket parashikimeve për tremujorin e katërt, deri në këtë moment nuk ka ende ndonjë qëndrim të institucioneve të rëndësishme financiare ndërkombëtare që mund të jetë i qëndrueshëm dhe i sigurt. Rezultati do të varet nga shumë faktorë dhe kryesori do të vazhdojë të jetë: zgjidhja e problemit të krizës së borxheve në BE nga vet qeveritë e këtyre vendeve.
Bordi më tej do të shpallë një shprehje interesi për të gjitha bankat komerciale në Kosovë për të investuar më shumë mjete të kontribuuesve në depozitat bankare të Kosovës. Kjo shpresojmë se do të ndihmojë që bankat të kenë më shumë mjete në dispozicion dhe kosovarët të marrin kredi me norma më të ulëta interesi.
Krejt në fund Bordi Udhëheqës i Trusti-t përsërit kërkesën që t’i bëhet i mundur nga institucionet e vendit që më shumë mjete të kontribuuesve t’i investojë në Kosovë. Për këtë duhet të përgatitur baza ligjore dhe të krijohen instrumentet financiare.
Tabela 1: Performanca e investimeve sipas tremujorëve dhe për vitin 2011
|
Periudhat
|
Kthimi në investime
(në milionë euro)
|
|
TM1
|
+11.5
|
|
TM2
|
+3.0
|
|
TM3
|
-31.0
|
|
1 deri 15 tetor 2011
|
11.2
|
|
Kumulative: 1 janar deri 15 tetor 2011
|
-5.3
|
|