Për Trustin

Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trusti) është institucion publik i pavarur i Republikës së Kosovës. Trusti është institucion i krijuar sipas modelit të fundit të kontributeve pensionale të definuara, që nënkupton se secili kontribuues kursen për pension në një llogari personale.

Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trusti) është institucion i themeluar në gusht të vitit 2002 për të administruar dhe menaxhuar kontributet e obligueshme pensionale (dhe vullnetare) të të punësuarve në Kosovë. Trusti është institucion i pavarur i Kuvendit të Kosovës, aktivitetin e përgjithshëm të të cilit e mbikëqyrë Banka Qendrore e Kosovës (BQK).

Trusti është i angazhuar kryekëput për mbajtjen e kontributeve pensionale të kursyera nga qytetarët e Kosovës gjatë marrëdhënies së punës, të cilat ruhen nëpër llogari individuale të kontribuuesve. Administrimi i këtyre llogarive individuale është përgjegjësi ligjore e Trusti-t, megjithatë paratë e kursyera mbesin pronë vetanake e kontribuuesve. Edhe pse pronë private, mandati i këtyre kursimeve është specifik: ato mund të përdoren vetëm për pension.

Sa janë me ne, mjetet investohen sipas parimeve të investimeve të kujdesshme të paracaktuara me ligj. Investimet bëhen në mënyrë që kursimtarët kosovarë, në afate të gjata të kenë rritje sa më të madhe të vlerës së llogarisë, ashtu që t’iu sigurohet një pension sa më i mirë. Investimet e Trusti-t janë të bëra në klasa të aseteve, tregje botërore dhe industri nga më të ndryshmet, në mënyrë që të shpërndahet dhe kështu të zvogëlohet rreziku i mundshëm nga investimet.

Ligji nr. 03/L-084 për Fondin Pensional, i cili e ndryshon Rregulloren nr. 2005/20 për Pensionet në Kosovë, i cili ia jep Trusti-t kompetencat dhe të drejtat e administruesit të besuar për fondet pensionale (Neni 6.1),i përcakton atij përgjegjësitë dhe të drejtat e mëposhtme (Neni 6.2):

• Udhëheqjen e tenderëve për përzgjedhjen e menaxhuesve të mjeteve, kujdestarin e mjeteve dhe instrumenteve për investime të hapura në pajtim me këtë Ligj;
• Zbatimin e marrëveshjeve me menaxhuesit e mjeteve, kujdestarin, instrumentet për investime të hapura, llogaritarët, revizorët, avokatët dhe ofruesite tjerë të shërbimeve;
• Kërkimin dhe pranimin e informatave nga menaxhuesit e mjeteve, instrumentet për investime të hapura, kujdestarin e mjeteve dhe të ofruesit të shërbimeve për të gjitha transaksionet në emër të Fondit, duke përfshirë edhe votimin e aksioneve që i mban Fondi;
• Miratimin e parimeve për investime të Fondit;
• Shkarkimin dhe zëvendësimin e menaxhuesve të mjeteve, instrumenteve për investime të hapura, kujdestarin e mjeteve dhe ofruesve të tjerë të shërbimeve për Fondin;
• Transferimin e bilancit të llogarive individuale, përfshirë këtu kthimin nga investimet, për pensionet e kursyera tek ofruesit e anuiteteve, me qëllim të blerjes së pensioneve për pjesëmarrësit që pensionohen në përputhje me këtë Ligj;
• Lidhjen e marrëveshjeve për blerjen, shitjen, dhënien ose marrjen me qira të patundshmërive ose pajisjeve të nevojshme për funksionimin e Fondit;
• Punësimin e personelit ekzekutiv dhe jo-ekzekutiv të Fondit;
• Lidhjen e marrëveshjeve të sigurimeve, duke përfshirë edhe sigurimin fiduciar për kompensim për këshillin drejtues, me kompanitë e sigurimeve të licencuara në Kosovë ose në shtetet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik;
• Përgatitjen e buxhetit të cilin e miraton Bordi Udhëheqës;
• Caktimin e tarifave të arsyeshme të bazuara në shpenzime të çdo pjesëmarrësi për administrimin e llogarive individuale në pajtim me orarin të cilin e përcakton Kuvendi dhe ndaljen e shumave të tilla nga kontributet e marra para derdhjes së tyre në llogaritë individuale.

Trusti e ka zyrën e saj kryesore dhe të vetme në Prishtinë, kurse shërbime për kontribuuesit dhe përfituesit e kursimeve për pension kryhen edhe në 5 qendrat e tjera të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) në: Mitrovicë, Pejë, Prizren, Ferizaj dhe Gjilan.

Trusti udhëhiqet nga Bordi Udhëheqës, i cili përbëhet nga: katër anëtarë profesionalë me përvojë së paku 10 vjeçare në menaxhimin e mjeteve ose administrimin e pensioneve; dy anëtarë përfaqësues, njëri i punëdhënësve dhe tjetri i të punësuarve; një përfaqësues i Qeverisë së Kosovës, pa të drejtë vote dhe një përfaqësues ndërkombëtar i Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar (ICO). Të gjithë anëtarët e Bordit emërohen Kuvendi i Kosovës me mandat 4-vjeçar.

 
© 2012 Trusti. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.Design & Development by Trusti